Xhon Gubetini, asamblisti më i votuar i PDK-së në Vushtrri, ka bërë thirrje për bashkim brenda PDK-së dhe afrimin e Fatmir Limajt në parti.
Sipas tij, në kohën kur liderët e luftës po përballen me sfida në Hagë, PDK-ja ka nevojë për unitet, forcë dhe figura të rëndësishme të luftës si Fatmir Limaj.
“Kosova ka nevojë për bashkim, jo përçarje”, ka deklaruar Gubetini.
Zërat brenda Partisë Demokratike të Kosovës në favor të rikthimit të Fatmir Limajt po shtohen çdo ditë. Mbështetjes për bashkëpunim me kreun e NISMA-s i janë bashkuar edhe disa asamblistë të PDK-së nga komuna të ndryshme të Kosovës.
Asamblisti i PDK-së në Vushtrri, Pëllumb Maliqi, ka deklaruar se PDK-ja ka nevojë për bashkim dhe forcim, duke vlerësuar se afrimi i Limajt dhe bashkëpunëtorëve të tij do të ishte një hap me peshë politike. Ai ka theksuar se Limaj lidhet ngushtë me historinë e luftës çlirimtare dhe vetë rrugëtimin e PDK-së.
Edhe Fidan Bejta, po ashtu asamblist i PDK-së në Vushtrri, ka kërkuar që Fatmir Limaj të përfshihet në listën zgjedhore të PDK-së. Sipas tij, Limaj është përfaqësues i vlerave të UÇK-së dhe afrimi i tij është “jetik për PDK-në”. Ai ka shtuar se kushdo që është kundër këtij bashkimi “nuk ia dëshiron të mirën partisë”.
Ndërkohë, Lulzim Abazi, asamblist në Kuvendin Komunal të Ferizajt dhe anëtar i kryesisë së degës së PDK-së në këtë qytet, ka shprehur përkrahje të plotë për përfshirjen e Fatmir Limajt në listën kandiduese për zgjedhjet e 7 qershorit.
Abazi ka theksuar se Kosova ka nevojë për bashkimin e figurave që kanë kontribuar në proceset shtetformuese, duke vlerësuar Limajn si figurë me përvojë politike dhe kontribut të madh kombëtar e shtetëror.
Ky është postimi i plotë i tij:
Sot më shumë se kurrë, PDK-së i duhet bashkimi.
Në kohën kur liderët e luftës po përballen me padrejtësi në Hagë, nuk është momenti për ndarje mes atyre që ndërtuan lirinë. Është momenti për unitet, forcë dhe përgjegjësi kombëtare.
Prandaj besoj se rikthimi i Fatmir Limajt pranë PDK-së do të ishte një mesazh i fuqishëm për qytetarët dhe për gjithë ata që besojnë në vlerat e UÇK-së.
Fatmir Limaj është një nga emrat më të mëdhenj të luftës dhe sakrificës për Kosovën. Bashkimi i tij me PDK-në do ta forconte frymën e unitetit dhe do t’i jepte vendit më shumë siguri e besim në këtë kohë sfiduese.
PDK-ja është shtëpia politike e shumë luftëtarëve të lirisë.
Sot nuk kemi nevojë për përçarje, kemi nevojë të qëndrojmë bashkë për Kosovën.
Kosova mbi të gjitha.