Viktimë e aksidentit tragjik në Maqedoninë e Veriut ka mbetur 51-vjeçari Riste Velkov, i cili ishte një nga emrat e njohur të skenës operistike në vend.
Gjithashtu nga aksidenti tragjik, humbi jetën edhe djali i tij, Adami 20 vjeç i cili ishte student i vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike.
Bashkë me ta në makinë ndodheshin edhe dy të rinj të tjerë, përkatësisht 20-vjeç, të cilët fatkeqësisht humbën jetën, raporton Alsat.
Nga MPB në Maqedoni kanë njoftuar se rasti ka ndodhur më 21 maj 2026, rreth orës 23:00. Sipas të dhënave, drejtuesi i kamionit “MAN”, 76-vjeçari B.B. nga Kosova, ka humbur kontrollin, ka kaluar mbi gardhin ndarës dhe ka hyrë në kahun e kundërt, ku është përplasur me automjetin e drejtuar nga 51-vjeçari R.V. nga Shkupi.
Pas përplasjes, të dy mjetet janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur pothuajse tërësisht. Zjarri është shuar nga zjarrfikësit.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë drejtuesi i veturës dhe dy pasagjerë të rinj, ndërsa një viktimë tjetër ende nuk është identifikuar. Vdekjen e ka konstatuar ekipi i urgjencës, ndërsa trupat janë dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit.
Shoferi i kamionit është ndaluar nga policia dhe ndaj tij pritet procedurë përkatëse pas përfundimit të hetimeve. Për shkak të ekspertizës në terren, trafiku në këtë pjesë ka qenë i devijuar deri në orët e mëngjesit.