Aplikimi për përfitimin e 100 eurove për punëtorët e sektorit privat pritet të hapet këtë javë, përkatësisht të enjten dhe të premten, përmes platformës zyrtare elektronike eKosova.
Sipas informacioneve që lidhen me Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, punëtorët e sektorit privat do të duhet të aplikojnë online për të përfituar mbështetjen e njëhershme prej 100 eurosh nga Qeveria e Kosovës, shkruan Gazeta Minuti
Burime të afërta me procesin bëjnë të ditur se pagesat prej 100 eurove pritet të ekzekutohen 2 deri në 3 ditë pas përfundimit të aplikimit, çka nënkupton se përfituesit mund t’i marrin mjetet deri në fund të javës tjetër.
Aplikimi do të realizohet në mënyrë elektronike përmes platformës shtetërore eKosova, ndërsa shumë shpejt pritet të publikohet edhe linku zyrtar bashkë me detajet dhe kriteret për aplikim.
Kjo mbështetje financiare është pjesë e pakos së re të miratuar nga Qeveria, ku përfitues janë edhe pensionistët, studentët dhe fëmijët.