Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave spanjolle pas sezonit të jashtëzakonshëm me Mallorcan, pavarësisht rënies së klubit nga La Liga. Mediumi spanjoll “AS” i ka kushtuar një artikull të veçantë reprezentuesit kosovar, duke e cilësuar si “thesarin” e skuadrës.
Sipas raportimit, Muriqi ishte një nga pikat më të forta të Mallorcas këtë sezon, duke realizuar 23 gola dhe duke u shndërruar në një nga sulmuesit më të kërkuar në tregun veror.
Media spanjolle shkruan se largimi i tij nga Mallorca duket gjithnjë e më i mundshëm, pasi klubi do ta ketë shumë të vështirë ta mbajë për shkak të pagës së lartë dhe interesimit të madh nga klubet tjera.
Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, besohet se Muriqi përfiton rreth katër milionë euro bruto në vit, një shumë që konsiderohet pothuajse e papërballueshme për një skuadër që do të garojë në Segunda Division.
Raportohet se interesimi për sulmuesin kosovar vazhdon nga Turqia, ku Fenerbahçe mbetet prej kohësh në kontakt me të dhe thuhet se i ka ofruar kushte më të mira financiare se Mallorca. Në garë për të është përmendur edhe Galatasaray, sidomos si opsion për zëvendësimin e Mauro Icardi.
Përveç klubeve turke, ofertat nga Arabia Saudite kanë qenë gjithashtu në tavolinë, megjithatë vetë Muriqi kishte deklaruar më herët se kishte zgjedhur të qëndrojë në Mallorca për arsye personale dhe sportive.
Në artikull përmendet edhe interesimi i mundshëm nga FC Barcelona, me trajnerin Hansi Flick që thuhet se e pëlqen profilin e sulmuesit kosovar si alternativë në repartin ofensiv.
Pasigurinë për të ardhmen e tij e kanë shtuar edhe postimet e fundit të Muriqit në rrjetet sociale, ku ai ka shprehur mirënjohje të madhe për Mallorcan, pa konfirmuar nëse do të vazhdojë të mbetet pjesë e klubit.
“AS” vlerëson se Mallorca vështirë se do të mund ta mbajë një futbollist të këtij niveli në kategorinë e dytë, përveç nëse vetë Muriqi vendos që ndjenjat dhe lidhja emocionale me klubin të jenë më të rëndësishme se aspekti financiar dhe sportiv.