Zbulohen pamjet e klinikës ilegale në Obiliq, ofronte shërbime shëndetësore pa leje

Janë publikuar pamje nga brenda një objekti në Obiliq, ku autoritetet dyshojnë se janë ofruar shërbime shëndetësore pa autorizimin e nevojshëm nga institucionet përkatëse.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është evidentuar më 30 maj 2026, rreth orës 14:00, pas dyshimeve për ushtrim të paautorizuar të veprimtarisë mjekësore, si dhe për prodhim dhe shpërndarje të produkteve mjekësore të dyshuara si të dëmshme.

Hetimet paraprake kanë treguar se në një nga hapësirat e objektit dyshohet të jenë kryer shërbime mjekësore pa licencë të vlefshme nga Ministria e Shëndetësisë. Pas marrjes së informacionit, në vendngjarje kanë ndërhyrë inspektorët shëndetësorë dhe farmaceutikë, të cilët, në bashkëpunim me policinë, kanë ndaluar aktivitetin dhe kanë vulosur lokalin.

Në kuadër të hetimeve janë intervistuar dy persona, një burrë dhe një grua, të cilët po trajtohen si të dyshuar. Me urdhër të prokurorit, pas procedurave fillestare, ata janë liruar dhe rasti do të vazhdojë të hetohet në procedurë të rregullt.

Gjatë kontrollit të objektit, zyrtarët kanë hasur edhe në pjesë të vjetra të uniformave të Policisë së Kosovës, të gjetura në një hapësirë tjetër të ndërtesës. Rrethanat e pranisë së tyre po shqyrtohen nga organet kompetente.

error: