Në Hagë kanë nisur deklaratat përmbyllëse në procesin më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndërsa atje po qëndrojnë edhe familjarë e ish-pjesëtarë të UÇK-së për të përcjellë nga afër seancat. Nga Skenderaj e Gjermania, ata shprehen me shpresë për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar besimin e tyre në pafajësinë e katërshes.
Xhevat Dervishi, i cili është nipi i heroinës nga Prekazi, Salë Jashari ka ardhur nga Skenderaj për të përcjell deklaratat përmbyllëse të avokatëve mbrojtës në Hagë.
Ai ka thënë për KosovaPress se është hera e parë, pas pesë vjetësh që vjen këtu, por thotë se pret lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Është hera e parë pas pesë vitesh që na mundësohet me i pa këta njerëz që kanë kontribuar për vendin dhe që këta kanë bërë një luftë të drejtë dhe të pastër për lirinë e vendit… Nëse ka drejtësi në këtë botë dhe në këtë gjykatë, këta do të jenë të pafajshëm”, ka thënë ai.
Ai pret lirimin e katërshes së UÇK-së dhe kthimin e tyre në shtëpi.
“Është një gjyq që po mbart larg Kosovës edhe ua pamundëson shumë qytetarëve të marrin pjesë… Nuk kemi mundur të qëndrojmë atje {Kosovë} dhe kemi ardhur me i pa këta njerëz që kanë luftuar për vendin e tyre dhe kanë sjell lirinë e vendit të tyre”, ka shtuar ai.
Fitim Gjoshi, i cili ka ardhur nga Gjermania thotë se i ka përcjell mbi 70 për qind të seancave përgjatë këtyre pesë vjetëve.
Ai ishte pjesëtar i UÇK-së, në kuadër të brigadës 113 “Mujë Krasniqi” në Negrovc të Drenasit.
“Mbi 70 për qind të seancave i kam përcjellur, besoj qe deri në fund do të vi që t’i përcjelli për hir të respektit dhe nderit ndaj clirimtarëve tanë qe po sakrifikohen për vendin tonë, per këtë shtet qe e themeluan dhe e arritën qëllimin qe të jemi në liri”, tha ai.
Edhe ai pret lirimin e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit.
“Deri në momentin që të dalin prej këtu nuk ju besohet sepse nuk ka drejtësi këtu. Kjo është gjykatë politike dhe aspak nuk ka drejtësi. Por shpresat sipas deklaratave të avokatëve qe do të triumfojë drejtësia. Janë të pastër”, shtoi ai.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nga e hëna kanë filluar deklaratat përmbyllëse të palëve në procesin më të madh gjyqësor në Hagë.