“Na i jepni tre mijë euro, ose do t’ju dërgojmë në gjykatën e Beogradit”- Mërgimtari tregon si u maltretua nga policia serbe

Mërgimtari Nëntor Elshani, bashkë me mikun e tij, Lindion Kabashi, thonë se janë maltretuar nga policia serbe në pikën kufitare, rrugës teksa ishin nisur për të ardhur në Kosovë.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Elshani ka thënë se tatuazhi me dy shqiponja me krahë u bë shkas që policia serbe në pikën kufitare “Bajakovo – Batrovci” t’i fuste në kontroll të thellë atë dhe mikun e tij.

Siç është shprehur ai për Insajderin, veturën e tij të tipit BMW e kanë futur në skener dhe të njëjtit i kanë kontrolluar rreth një orë.

Elshani pretendon se bashkë me Kabashin u detyruan t’ua japin telefonat policisë serbe, ku të njëjtëve iu gjetën fotografi të familjarëve që ishin pjesëmarrës në luftë.

“Na kanë marrë shumë para, të cilat i kishim cash në një shumë prej rreth tre mijë eurove. Pasi ndodhi kjo ngjarje, na kërcënuan o na jepni paratë o do t’ju dërgojmë në Gjykatën e Beogradit dhe do t’ju fusim në burg”, deklaroi ai, duke thënë se është shtuar rreziku për të udhëtuar nëpër Serbi.

Autoritetet e Kosovës në vazhdimësi kanë bërë thirrje qytetarëve të Republikës që t’i shmangin rrugët kah Serbia dhe të përdorin rrugë alternative.

error: