Partia gjermane në pushtet, CDU, ka kërkuar vendosjen e një moshe minimale ligjore prej 14 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Instagram. Në konferencën partiake në Shtutgart, delegatët miratuan një propozim me të cilin i kërkohet qeverisë federale, e udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz, të mbrojë më mirë fëmijët dhe adoleshentët në sferën digjitale.
Partia konsideron se është e nevojshme të pranohet nevoja e veçantë për mbrojtjen e të rinjve deri në moshën 16 vjeç në internet. Propozime të ngjashme më parë janë paraqitur edhe nga Partia Socialdemokrate (SPD), partneri i koalicionit qeverisës. Edhe pse në draftet fillestare përmendej kufiri prej 16 vjeç, CDU tani këmbëngul në një minimum ligjor prej 14 vjeç.
Në dokumentin e miratuar thuhet se shteti nuk duhet të mbetet neutral ndërkohë që fëmijët ekspozohen ndaj platformave të dizajnuara për tërheqje maksimale të vëmendjes dhe ndikim mbi sjelljen. Konservatorët kërkojnë legjislacion kombëtar dhe evropian që do t’i detyrojë platformat të zbatojnë sisteme të rrepta verifikimi të moshës, në përputhje me mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas propozimit, klikimi i thjeshtë në një kuti për konfirmimin e moshës nuk duhet të jetë më i mjaftueshëm, ndërsa çdo shkelje e këtyre rregullave duhet të shoqërohet me gjoba të larta. CDU angazhohet gjithashtu për standarde të harmonizuara në nivel të Bashkimit Evropian, me qëllim shmangien e boshllëqeve ligjore brenda bllokut.
Përveç kufizimeve ligjore, partia parashikon edhe forcimin e edukimit digjital në shkolla. Plani është që nxënësit të mësojnë se si funksionojnë algoritmet dhe si të mbrohen nga ngacmimet online dhe manipulimet. Sipas CDU-së, kjo do të rrisë qëndrueshmërinë demokratike kundër dezinformatave dhe radikalizimit.