Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe procesin e dështuar për zgjedhjen e presidentit në Kuvend.
Ajo deklaroi se u detyrua të ndërmarrë hapin për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, pas dështimit të deputetëve për të përmbyllur procesin kushtetues të zgjedhjes së presidentit.
Sipas Osmanit, situata në të cilën ka përfunduar vendi është rezultat i papërgjegjshmërisë politike dhe zvarritjeve të panevojshme në institucionet e vendit.
“Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme, një proces i zvarritur pa fund. Kosova nuk mund të përballojë zvarritjet e pafunda. Shteti mbahet në këmbë nga një parim i vetëm – nga ligji dhe Kushtetuta”, u shpreh Osmani.
Deklarata e presidentes vjen në një kohë tensionesh politike, ndërsa vendi përballet me një situatë të re institucionale pas vendimit për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.