Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të japë dorëheqje nga posti i saj menjëherë pasi të bëjë publike datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, mëson Gazeta Minuti nga burime brenda Presidencës.
Sipas këtyre burimeve, Osmani është duke shqyrtuar seriozisht mundësinë që të rikthehet drejtpërdrejt në garën politike dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dorëheqja e saj, sipas të njëjtave burime, do të ndodhte menjëherë pasi ajo të kryejë aktin kushtetues të shpalljes së zgjedhjeve dhe dekretimit të datës së votimit.
“Presidentja fillimisht do të përmbushë detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve. Pas kësaj, pritet që ajo të dalë me një vendim politik për të dhënë dorëheqje dhe për t’u përfshirë në garën zgjedhore”, ka thënë një burim i Gazetës Minuti brenda institucionit të Presidencës.
Sipas informacioneve që po qarkullojnë në qarqet politike, vendimi i Osmanit lidhet me zhvillimet e fundit në skenën politike dhe mundësinë për një rikonfigurim të forcave politike para zgjedhjeve të reja. Burimet thonë se presidentja është duke analizuar opsionet për mënyrën se si do të garojë, qoftë përmes një liste të re politike apo në bashkëpunim me ndonjë subjekt ekzistues.
Në rast se dorëheqja e saj ndodh, funksionet e presidentit të vendit do të kalonin përkohësisht te kryetari i Kuvendit, sipas përcaktimeve të Kushtetutës së Kosovës, deri në zgjedhjen e një presidenti të ri.
Ndërkohë, vendimi eventual i Vjosa Osmani për t’u futur në garën politike pritet të ketë ndikim të madh në dinamikën e zgjedhjeve të ardhshme, pasi ajo konsiderohet një nga figurat më të votuara në historinë politike të Kosovës.
Gazeta Minuti mëson se për të gjitha këto zhvillime pritet të ketë qartësi më të madhe gjatë ditëve në vijim, kur edhe do të bëhen publike hapat e radhës të presidentes lidhur me të ardhmen e saj politike dhe procesin zgjedhor.