Tensionet mes Gjermanisë dhe Rusisë janë rritur ndjeshëm pas një serie incidentesh që Berlini i konsideron si “sulme hibride” të orkestruara nga Moska. Autoritetet gjermane kanë bërë sot deklaratën më të fortë të viteve të fundit, duke paralajmëruar se vendi nuk do të qëndrojë më pasiv ndaj veprimeve që rrezikojnë sigurinë e tij kombëtare dhe atë të Europës.
Zyrtarë të lartë gjermanë kanë bërë të ditur se Rusia po teston qëndrueshmërinë e vendeve perëndimore përmes operacioneve të fshehta, sulmeve kibernetike, dronëve të dyshimtë dhe fushatave të dezinformimit. Sipas tyre, limiti është kapërcyer dhe është koha që Berlini të reagojë në mënyrë të qartë.
“Boll me lojëra. Edhe ne dimë të godasim dhe të shkatërrojmë, nëse dikush e çon situatën deri në atë pikë,” u shpreh një prej zyrtarëve të inteligjencës gjermane gjatë një seance informuese në Bundestag, duke theksuar se vendi ka kapacitete të avancuara mbrojtëse dhe sulmuese në fushën kibernetike.
Ndërkohë, zëra nga koalicioni qeverisës kanë kërkuar që Gjermania të marrë një rol më aktiv në parandalimin e kërcënimeve që vijnë nga Lindja. Sipas tyre, politika e durimit dhe e paralajmërimeve të buta nuk ka sjellë rezultat, ndërsa në Bruksel po shtohen kërkesat për një strategji të re të përbashkët europiane ndaj Moskës.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se konflikti midis dy vendeve nuk ka gjasa të marrë formë ushtarake të drejtpërdrejtë, por përplasja në hapësirën hibride pritet të ashpërsohet. Gjermania ka nisur tashmë rritjen e investimeve në mbrojtjen kibernetike dhe po vlerëson masa të reja për mbrojtjen e infrastrukturës strategjike.
Nga ana tjetër, Moska ka mohuar çdo akuzë, duke hedhur poshtë pretendimet si “propagandë perëndimore”. Kremlini ka akuzuar Berlinin se po përpiqet të justifikojë rritjen e angazhimit ushtarak dhe forcimin e bashkëpunimit brenda NATO-s.
Megjithatë, sinjalet nga Berlini janë të qarta: epoka e butësisë diplomatike ndaj Rusisë po mbyllet, dhe Gjermania është e gatshme të përgjigjet me të njëjtën forcë ndaj çdo kërcënimi që cënon sigurinë e saj.