Tragjedi për një familje nga Klina: 39-vjeçari ndërron jetë në Gjermani
Një ngjarje e rëndë ka tronditur familjarët dhe komunitetin në Klinë, pasi një 39-vjeçar ka humbur jetën papritur në Gjermani, ku jetonte dhe vepronte prej vitesh.
Sipas burimeve të afërta me Gazetën Minuti, bëhet fjalë për Muhamet Isuf Bajraktarin, me origjinë nga fshati Resnik i Klinës. Ai kishte emigruar prej kohësh në Gjermani, ku kishte ndërtuar jetën dhe aktivitetin e tij profesional.
Burime të njëjta bëjnë të ditur se vdekja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një sulmi në zemër, duke e bërë ngjarjen edhe më të papritur për familjen dhe të afërmit e tij. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është përhapur shpejt në rrjetet sociale, ku shumë miq dhe bashkëfshatarë kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet e tyre.
Familjarët e të ndjerit kanë bërë të ditur se janë në procedurë për kthimin e trupit nga Gjermania në Kosovë. Ata kanë njoftuar se detajet për ceremoninë e varrimit do të bëhen publike me kohë, sapo të përfundojnë procedurat e nevojshme.
Vdekja e Muhamet Bajraktarit ka lënë pas një dhimbje të madhe jo vetëm tek familja e tij, por edhe tek miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë ata që e njohën. Ai kujtohet si një njeri i urtë dhe punëtor, ndërsa largimi i tij i hershëm konsiderohet një humbje e madhe për komunitetin nga i cili vinte.