Familja Jashari ka riafirmuar edhe një herë qëndrimin e saj të pandryshueshëm për të qëndruar larg politikës aktive dhe proceseve institucionale, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Burime të afërta me familjen bëjnë të ditur se ky vendim nuk është i ri, por përfaqëson një vazhdimësi të qëndrimit që ajo ka mbajtur ndër vite. Sipas tyre, familja simbol e rezistencës në Kosovë e konsideron të rëndësishme ruajtjen e rolit të saj historik dhe moral, pa u përfshirë në zhvillimet politike të përditshme.
“Qëndrimi ynë është i qartë: nuk do të jemi pjesë e politikës dhe nuk do të propozojmë kandidat për president”, citohet të ketë thënë një burim brenda familjes.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur në skenën politike janë përmendur emra të ndryshëm si kandidatë potencialë për postin e presidentit. Së fundmi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, kishte sugjeruar publikisht që një përfaqësues nga familja Jashari të konsiderohej për këtë post, por ideja nuk ka gjetur mbështetje nga vetë familja.
Qëndrimi i tyre pritet të ketë ndikim në diskutimet politike që lidhen me zgjedhjen e presidentit, duke e bërë të qartë se familja Jashari do të vazhdojë të qëndrojë jashtë këtyre proceseve, duke ruajtur integritetin dhe rolin e saj historik.