Informacioni i transmetuar nga mediat lokale tregon se personi i armatosur qëndroi brenda ndërtesës së shkollës, ndërsa dyshohet se mbajti peng disa nxënës. Autoritetet policore kanë rrethuar zonën dhe kanë marrë masa të gjera sigurie, ndërsa njësitë e operacioneve speciale janë thirrur për t’u marrë me situatën.
Sipas raporteve të fundit, të paktën shtatë nga të plagosurit janë nxënës.
“Kemi 16 të plagosur. Autori është një ish-nxënës i shkollës sonë, i lindur në vitin 2007. Autori kreu vetëvrasje. Ne evakuuam shkollën. Incidenti po hetohet nga të gjitha anët”, tha guvernatori i Sanliurfas, Hasan Sildak.
Ndërkohë, u raportua se disa nga nxënësit e plagosur u hodhën nga dritaret për t’i shpëtuar sulmit të armatosur, ndërsa forcat e sigurisë thanë se shumica e nxënësve të shkollës janë evakuuar.
Nxënësit e plagosur u dërguan në spitale pasi morën ndihmën e parë në vendngjarje.
“Ishte një djalë rreth 17-18 vjeç. Sapo hyri nga dera e përparme, filloi të qëllonte me armën që mbante me vete. Së pari qëlloi majtas dhe djathtas, pastaj brenda shkollës. Pastaj vrapoi brenda shkollës. Brenda, qëlloi drejtpërdrejt mbi këdo që takonte. Pastaj nxënësit bërtitën dhe të gjithë nisën të vraponin për të ikur”, tha një dëshmitar okular.