Çfarë është epibatidina, “helmi i bretkosës” që dyshohet se vrau Navalnyn?

Alexei Navalny, lideri i opozitës ruse që humbi jetën dy vjet më parë në një burg të sigurisë së lartë në Siberi, ka shumë gjasa të jetë helmuar me një substancë shumë të fuqishme toksike dhe jo të ketë vdekur për shkaqe natyrore, siç pretenduan autoritetet ruse.

Ky është përfundimi i arritur nga pesë qeveri perëndimore (Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Franca, Gjermania dhe Holanda), bazuar në analiza laboratorike të kryera mbi mostra të marra nga trupi i tij.

Në një deklaratë të përbashkët, të publikuar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve njoftuan se testet konfirmuan në mënyrë përfundimtare praninë e gjurmëve të epibatidinës, një substancë shumë toksike që gjendet në lëkurën e disa llojeve të bretkosave helmuese të Amerikës së Jugut dhe që nuk gjendet natyrshëm në Rusi.

Çfarë është epibatidina?

Epibatidina është një alkaloid natyror i zbuluar për herë të parë në vitet ’90 nga bretkosat e njohura si “bretkosa me shigjeta helmuese”. Ajo konsiderohet një nga toksinat natyrore më të fuqishme të njohura.

Substanca vepron mbi receptorët nikotinikë të sistemit nervor, duke shkaktuar fillimisht stimulim të fortë neurologjik dhe më pas paralizë progresive. Në doza të larta, ajo çon në:

-Paralizë të muskujve, përfshirë ata të frymëmarrjes

-Arrest respirator

-Dhimbje të forta dhe kolaps të sistemit nervor qendror

-Vdekje brenda një periudhe të shkurtër kohore

Epibatidina është studiuar për potencialin e saj si analgjezik shumë i fuqishëm, por toksiciteti i saj ekstrem e bën praktikisht të papërdorshme në mjekësi. Për shkak të fuqisë së saj, konsiderohet ndër helmet më vdekjeprurëse në botë.

Reagimet politike

Pesë ministrat e Jashtëm deklaruan se zbulimi hedh poshtë versionin zyrtar të Moskës, sipas të cilit Navalny vdiq për shkaqe natyrore. Sipas tyre, fakti që Navalny ndodhej në paraburgim nën kontroll të plotë të shtetit rus tregon se autoritetet kishin “mjetet, motivin dhe mundësinë” për ta helmuar.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e tij, deklaroi se raporti konfirmon shkencërisht dyshimet e saj të hershme: “E dija që nga fillimi, por tani ka prova: Putini vrau bashkëshortin tim”.

Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, foli për një “projekt barbar të Kremlinit për të heshtur zërin e Navalnyt”. Homologu i saj francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se zbulimi tregon se “Putini është i gatshëm të përdorë armë të ndaluara për të mbajtur pushtetin”. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi aktin “të frikshëm” dhe akuzoi Rusinë për përdorim të metodave terroriste.

Pesë vendet njoftuan se do ta çojnë çështjen pranë Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), duke kërkuar hetim për shkelje të Konventës për Armët Kimike dhe asaj për armët biologjike dhe helmet.

Një histori helmimesh

Navalny ishte helmuar edhe në vitin 2020 me agjentin nervor Novichok, ndërsa ndodhej në Siberi. Ai u transportua në Gjermani për trajtim dhe mbijetoi. Në vitin 2021 u kthye në Rusi, ku u arrestua menjëherë dhe u dënua me 19 vite burg në një proces të cilësuar si politik.

Në dhjetor 2023 ai u transferua në koloninë penale IK-3, e njohur si “Ujku Polar”. Më 16 shkurt 2024, Shërbimi Federal i Burgjeve njoftoi papritur vdekjen e tij, pa dhënë shpjegime bindëse. Autoritetet refuzuan për disa ditë t’i dorëzonin trupin familjes. Në funeralin e tij morën pjesë mijëra qytetarë, pavarësisht kufizimeve zyrtare.

Zbulimi i fundit mbi epibatidinën pritet të rrisë më tej presionin ndërkombëtar ndaj Moskës dhe të thellojë tensionet diplomatike mes Rusisë dhe Perëndimit.

error: