OVL e UÇK-së ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka kundërshtuar fuqishëm përmbajtjen dhe gjuhën e përdorur në fjalët përmbyllëse të Prokurorisë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në reagim thuhet se pretendimet e paraqitura, përfshirë etiketimin e udhëheqjes së UÇK-së si pjesë e një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale”, sipas OVL UÇK-së, përbëjnë një tentativë të papranueshme për kriminalizimin e luftës çlirimtare dhe për rishkrimin e historisë së rezistencës së drejtë të popullit të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“UÇK-ja ishte dhe mbetet ushtri çlirimtare, e lindur nga nevoja për mbijetesë dhe liri, e mbështetur nga populli dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare si palë legjitime në luftën kundër regjimit gjenocidal serb”, thuhet në reagim.
OVL UÇK riafirmoi bindjen se kjo gjykatë po zhvillon një proces selektiv dhe të njëanshëm, duke injoruar krimet shtetërore të Serbisë dhe duke u fokusuar padrejtësisht mbi drejtuesit e luftës çlirimtare.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën historike, dinjitetin e luftës sonë dhe figurën e bashkëluftëtarëve tanë. Drejtësia e vërtetë nuk ndërtohet mbi shtrembërim faktesh, por mbi të vërtetën e plotë”, thonë nga OVL e UÇK-së.