Vasfije Krasniqi publikon shtëpinë ku u dhunua: Doja të hyja në dhomën ku ndodhi krimi, por nuk munda

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka ndarë një rrëfim prekës në rrjetet sociale, duke treguar se pas shumë vitesh është rikthyer në një nga vendet ku përjetoi traumën që, sipas saj, ia ndryshoi jetën përgjithmonë.

Përmes një postimi në Facebook, ajo publikoi fotografinë e një shtëpie, duke shpjeguar se bëhet fjalë për vendin e dytë ku, në moshën 16-vjeçare, kishte përjetuar krimin që la gjurmë të pashlyeshme në jetën e saj.

Krasniqi-Goodman tha se kishte dëshiruar të hynte në dhomën ku ndodhi ngjarja, por nuk arriti ta bënte këtë. Ajo u ndal vetëm në oborr, ku realizoi një fotografi, ndërsa përshkroi emocionet e forta që i riktheu vizita në atë vend.

“Sot vendosa të kthehem në një vend ku për vite të tëra nuk kam pasur forcë të shkel. Ishte vendi i dytë ku, si një vajzë vetëm 16 vjeçe, përjetova tmerrin që më ndryshoi jetën përgjithmonë. Shtëpia e parë nuk ekziston më. Por kjo shtëpi ende qëndron…”, ka shkruar ajo mes tjerash.

Ajo theksoi se për të, ajo shtëpi nuk është thjesht një vend, por një pjesë e dhimbshme e historisë së saj personale, duke shtuar se edhe pas kaq shumë vitesh vazhdon të jetojë me pasojat e asaj që ndodhi aty.

“Nuk shkova aty për të kërkuar mëshirë. Shkova sepse doja ta shihja me sytë e mi se ai vend ende ekziston, ndërsa unë ende po jetoj me atë që ndodhi brenda tij. Dhe sot, më shumë se kurrë, zemra ime ndihet e thyer”, ka përfunduar ajo.

 

 

error: