Klinë – Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme fshatin Bokshiq të Klinës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka ndërruar jetë Faruk Isufi.
Sipas burimeve të afërta me Gazetën Minuti, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale mes dy vëllezërve. Burime të njëjta bëjnë të ditur se i dyshuari për vrasjen është vëllai i viktimës, Jetmir Isufi.
Mësohet se Jetmiri, i cili në të kaluarën ka qenë futbollist i klubit KF Dukagjini, dyshohet se ka shtënë disa herë me armë në drejtim të Farukut, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se policia është njoftuar rreth orës 15:10 për incidentin.
“Pas një fjalosjeje mes dy vëllezërve, njëri nga ta e ka qëlluar tjetrin me armë zjarri. Viktima fillimisht është dërguar në emergjencën e Klinës dhe më pas në Spitalin e Pejës. Fatkeqësisht, pak para se të nisej për në QKUK për trajtim të mëtejmë, ai ka ndërruar jetë,” deklaroi Gashi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë dhe Prokurorisë, të cilat po zhvillojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas burimeve të Gazetës Minuti, i dyshuari është identifikuar dhe autoritetet janë në kërkim të tij.