Sipas burimeve të sigurta të Gazeta Minutibrenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Qeveria e Kosovës po shqyrton një masë emergjente që pritet të lehtësojë barrën e qytetarëve: uljen e akcizës për derivatet e naftës deri në 30%.
Kjo lëvizje vjen në një moment kritik, kur tregjet globale të energjisë janë tronditur nga përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës në gjithë botën. Si pasojë, edhe në Kosovë është vërejtur rritje e ndjeshme e çmimeve, me një litër naftë që ka arritur deri në mbi 1,60€ euro në disa pika karburanti.
Burimet brenda ministrisë bëjnë të ditur se kjo masë synon të jetë e përkohshme dhe do të qëndrojë në fuqi deri në stabilizimin e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. “Po analizohen të gjitha opsionet për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset nga goditjet e krizës globale energjetike”, ka thënë një zyrtar i lartë në kushte anonimiteti për Gazeta Minuti.
Vendimi për uljen e akcizës shihet si një ndërhyrje direkte fiskale për të amortizuar efektet e krizës së importuar, duke qenë se Kosova është e varur pothuajse tërësisht nga importi i derivateve. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se një ulje e tillë mund të ndikojë menjëherë në çmimet finale, duke i ulur ato ndjeshëm për konsumatorët.
Ndërkohë, zhvillimet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të mbajnë të tensionuar tregjet globale, pasi çdo pasiguri në rajone kyçe si Ngushtica e Hormuzit reflektohet drejtpërdrejt në furnizimin dhe çmimet e naftës në nivel botëror.
Nëse kjo masë miratohet, qytetarët dhe bizneset në Kosovë mund të përfitojnë një lehtësim të menjëhershëm financiar, në një kohë kur rritja e çmimeve të energjisë ka filluar të ndikojë zinxhir në të gjithë ekonominë, nga transporti deri te produktet bazë.
Gazeta Minuti mëson se vendimi final pritet të merret brenda ditëve në vijim.