Kosovar Azemi, djali i dëshmorit Nijazi Azemi, tha se është gjobitur nga policia ppër shkak të mbajtjes së simbolit të UÇK-së në targa të automjetit.
Ai ka thënë se gjatë ndalimit i është shqiptuar gjobë dhe se ka kërkuar që në dokumentin zyrtar të specifikohej arsyeja e masës “për simbolin e UÇK-së”, por sipas tij një gjë e tillë nuk është pranuar nga zyrtarët.
Ai ka shtuar se ndihet i indinjuar që, sipas tij, një simbol i tillë trajtohet si shkelje brenda Kosovës, shtetit që u krijua pas luftës së UÇK-së.
“Sot në Kosovën e lirë, unë djali i Heroit Nijazi Azemi – Komandant Mjekrra dhe Fisnik Bislimi -djali i Heroit Rexhep Bislimi u ndaluam dhe u gjobitëm për simbolin e UÇK-së. Më e turpshmja? Ne kërkuam që në gjobë të shkruhej e vërteta: “u ndaluan për simbolin UÇK”. Por nuk patën guxim ta shkruajnë. Na dënuan për UÇK-në, por u frikësuan ta pranojnë me shkrim. Ky simbol ka kaluar gjithë Evropën, Malin e Zi, Greqinë e vende tjera pa problem. Sepse nuk e mbulon asnje simbol shtetëror e zyrtar, Vetëm në Kosovë, shtetin e dalë nga gjaku i baballarëve tanë, trajtohet si faj. Turp për ata që harrojnë kush e solli këtë liri”, ka shkruar ai.