Një ngjarje tragjike është shënuar dje në Vjenë, ku sipas konfirmimeve zyrtare nga autoritet përkatëse të Kosovës, ka ndodhur një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi, që për pasojë kanë humbur jetën disa persona, në mesin e tyre tre shqiptarë, shkruan GazetaDemos.
Sipas autoriteteve austriake, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, me çrast disa punëtorë mbetën të bllokuar nën rrënoja.
Ambasada e Kosovës në Vjenë ka bërë të ditur se viktimat e këtij rasti me prejardhje nga Kosova, janë Pajtim Bajrami, Asllan Musliu si dhe Istref Zekaj.
Gjithashtu, është bërë e ditur se ky institucion është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse.
Njëherit, Ambasada ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, duke konfirmuar mbështetjen e tyre.
NJOFTIMI
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ju informon se sipas konfirmimeve të fundit edhe viktima e tretë nga katër viktimat e këtij aksidenti tragjik është shtetas i Republikës së Kosovës.
Bëhet fjalë për qytetarin: Istref Zekaj
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse.
Në këto momente të rënda, shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave.
Do të vazhdojme të ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë rast.