Gjenerali Sandër Lleshaj, ish-ministër i Brendshëm, ish numri 2 i ushtrisë shqiptaret dhe ish-këshilltar për sigurinë i Kryeministrit ka deklaruar sot se rrjete të hapura të regjimit të Iranit bëjnë paradë të përnatshme në hapësirën publike shqiptaret.
Në një intervistë për Report TV, Ish-ministri kërkoi reagim më të fortë nga institucionet e sigurisë për ndaluar agjentët e Iranit që sipas tij veprojnë lirisht në vend nën petkun e gazetarëve dhe influencuesve.
“Ne nuk mund të lejojmë që vendet armiqësore të veprojnë lirisht dhe hapur me agjenturat e tyre në territorin shqiptar. Inteligjenca shqiptare duhet të japë përgjigje se si ka mundësi që agjentët e Iranit veprojnë lirisht në Shqipëri nën petkun e gazetarëve dhe influencuesve, jo vetëm të Iranit por edhe të vendeve të tjera keqdashëse ndaj Shqipërisë. Institucionet e sigurisë kombëtare nuk mund të rrinë indiferente dhe duhet të bëjnë hapa konkretë për të çliruar hapësirën publike nga kjo propagandë”, tha Lleshaj.
Shqipëria nuk është një objektiv real për raketat iraniane dhe alarmet që po qarkullojnë në media janë të ekzagjeruara. Kështu u shpreh ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, teksa komentoi frikën që është përhapur ditët e fundit për një sulm të mundshëm nga Irani.
Në një intervistë në emisionin “Frontline” në Report TV, Lleshaj tha se një skenar i tillë është shumë teorik dhe nuk meriton panikun që po krijohet në publik.
“Unë e konsideroj një tezë hipotetike që nuk meriton trajtim të madh për arsye të distancës, angazhimit në shumë fronte të Iranit dhe mbulesës së sigurt ajrore që kryhet në kuadër të NATO-s. NATO ofron mbrojtje ajrore që funksionon 24 orë në ditë. Alarmet që përhapen janë tymnajë dhe diskutime për të tërhequr vëmendje dhe kureshtje”, tha Lleshaj.
Sipas tij, edhe në rast se Irani do të tentonte të godiste Shqipërinë, raketat do të duhej të kalonin mbrojtjen ajrore të disa vendeve të NATO-s përpara se të arrinin në territorin shqiptar.
“Numri i raketave që kanë distancë veprimi maksimale është më i vogël se numri i raketave me rreze taktike më të ulët. Që të mbërrijnë në Shqipëri duhet të kalojnë me sukses mbrojtjen ajrore të shumë vendeve anëtare të NATO-s. Gjasat për një sukses janë jashtëzakonisht të vogla dhe shumë teorike”, tha ai.