Një sulm tragjik me armë zjarri ka goditur komunitetin mysliman në San Diego, ku tre persona humbën jetën pranë Islamic Center of San Diego, ndërsa dy autorët e dyshuar u gjetën të pajetë pranë vendit të ngjarjes. Autoritetet amerikane kanë nisur hetime intensive, ndërsa rasti po trajtohet si një krim i mundshëm urrejtjeje ndaj komunitetit mysliman.
Sipas policisë së San Diegos, ngjarja ndodhi rreth orës 11:43 sipas kohës lokale, kur forcat e rendit morën raportime për të shtëna aktive në zonën Clairemont. Në momentin e mbërritjes, oficerët gjetën tre viktima të pajeta jashtë qendrës islame, ndërsa pak minuta më vonë u raportua edhe për të shtëna në një zonë aty pranë.
Shefi i Policisë së San Diegos, Scott Wahl, deklaroi se dy të dyshuarit, të moshës 17 dhe 19 vjeç, u gjetën të vdekur brenda një automjeti pranë xhamisë, me plagë që dyshohet të jenë vetëshkaktuar. Ai sqaroi se policia nuk ka pasur shkëmbim zjarri me ta dhe se “kërcënimi është neutralizuar”.
Një nga viktimat ishte roja e sigurisë së qendrës islame, i cili ndodhej në detyrë në momentin e sulmit. Autoritetet konfirmuan se numri total i viktimave ka arritur në pesë, duke përfshirë tre civilët dhe dy autorët e dyshuar.
Hetimet po zhvillohen nga policia lokale dhe Federal Bureau of Investigation, ndërsa agjenti special Mark Remily bëri të ditur se të gjitha burimet federale janë angazhuar për të zbardhur motivet dhe rrethanat e sulmit.
Ngjarja shkaktoi panik të madh në zonë. Shkollat përreth u vendosën në izolim sigurie, ndërsa pamjet ajrore shfaqnin nxënës që evakuoheshin nga kompleksi i qendrës islame nën masa të rrepta sigurie. Dëshmitarët thanë se dëgjuan deri në 30 të shtëna, që sipas tyre ngjanin me armë gjysmë-automatike.
Imami i qendrës islame, Taha Hassane, e cilësoi sulmin si një tragjedi të paprecedentë për komunitetin mysliman lokal, duke theksuar se objektiv ishte një vend adhurimi dhe paqeje.
Sulmi ndodhi vetëm pak ditë para Kurban Bajrami dhe gjatë ditëve të para të muajit Dhul Hixhe, periudhë që konsiderohet ndër më të shenjtat për besimtarët myslimanë në mbarë botën, çka ka shtuar edhe më shumë dhimbjen dhe shqetësimin në komunitet.
Kryetari i Bashkisë së San Diegos, Todd Gloria, deklaroi se “urrejtja nuk ka vend në San Diego”, duke premtuar mbështetje të plotë për komunitetin mysliman dhe një hetim të plotë mbi sulmin.
Islamic Center of San Diego konsiderohet xhamia më e madhe në qarkun e San Diegos dhe shërben për mijëra besimtarë myslimanë. Kompleksi përfshin edhe shkollën “Al Rashid”, ku zhvillohen mësime fetare dhe gjuhësore për komunitetin lokal.