Mbrojtësi i përfaqësueses turke, Abdulkerim Bardakci, ka folur për atmosferën që mbizotëroi para dhe gjatë ndeshjes vendimtare të playoff-it për Kupën e Botës kundër Kosovës, e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ai ishte në fushë gjatë gjithë takimit dhe ndihmoi ekipin e tij të arrijë një fitore minimale 1-0, rezultat që i siguroi Turqisë kualifikimin në Kupën e Botës 2026. Bardakci u shpreh i kënaqur me këtë sukses, duke e cilësuar si një arritje të rëndësishme për skuadrën dhe duke treguar besim për paraqitjet në turneun e ardhshëm.
Megjithatë, ai komentoi edhe atmosferën në stadium, duke theksuar se disa sjellje nga tifozët nuk ishin të hijshme. Sipas tij, fishkëllimat gjatë himnit dhe përdorimi i fishekzjarreve krijuan një ambient të pakëndshëm, sidomos duke pasur parasysh marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve.
“Mësova diçka të re mbrëmë. Një turk nuk ka mik përveç një turku tjetër. E pamë këtë me siguri. Të gjitha ato, fishekzjarret, fishkëllimat gjatë himnit kombëtar ishin shumë të pakëndshme. Në fund të fundit, ata janë vendi ynë vëllazëror”, ka deklaruar Bardakci.