Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, i njohur për lidhjet e tij të afërta me Rusinë, po shkon drejt humbjes në zgjedhjet parlamentare të mbajtura këtë të diel, sipas sondazheve të fundit dhe zhvillimeve gjatë ditës së votimit.
Sipas matjeve më të fundit, opozita e udhëhequr nga Péter Magyar ka krijuar një epërsi të thellë ndaj partisë në pushtet, duke rritur gjasat për një përmbysje historike pas më shumë se 16 vitesh qeverisje të Orbán.
Procesi zgjedhor është karakterizuar nga një dalje masive e qytetarëve në votime. Deri në orët e pasdites, pjesëmarrja kishte kaluar mbi 74%, një nivel dukshëm më i lartë krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Votimi në të gjithë vendin pritet të mbyllet në orën 20:00, ndërsa rezultatet e para paraprake priten gjatë mbrëmjes.
Këto zgjedhje po konsiderohen si ndër më vendimtaret në historinë moderne të Hungarisë, pasi për herë të parë pas shumë vitesh pushteti i Orbán po vihet seriozisht në pikëpyetje. Rritja e pakënaqësisë publike, sidomos tek të rinjtë dhe votuesit urbanë, si dhe akuzat për korrupsion dhe lidhje të afërta me Moskën, kanë ndikuar ndjeshëm në rënien e mbështetjes për qeverinë aktuale.
Nëse trendi i sondazheve konfirmohet edhe në rezultatet zyrtare, Hungaria mund të hyjë në një epokë të re politike, duke i dhënë fund një prej sundimeve më të gjata në Evropë.