Miu shfaqet në Camp Nou para ndeshjes në Ligën e Kampionëve, shtohen kritikat për rinovimin e stadiumit

Stadiumi “Camp Nou” ka qenë në qendër të kritikave të shumta për procesin e rinovimit, i cili tashmë është më shumë se një vit me vonesë dhe ende larg standardeve të kryeveprës moderne që ishte premtuar. Para përballjes së Barcelonës në Ligën e Kampionëve ndaj FC Copenhagen, pamje shqetësuese nga stadiumi katalanas kanë bërë xhiron e botës.

Teksa po zhvilloheshin përgatitjet për ndeshjen kundër skuadrës daneze, ekipi i TNT Sports Mexico ishte i pranishëm në stadium për transmetimin para ndeshjes të martën në mbrëmje. Gjatë këtij transmetimi, kamerat kapën një mi duke lëvizur lirshëm anash fushës së Camp Nou, pamje që u përhapën me shpejtësi në rrjete sociale dhe u shndërruan në objekt talljeje për tifozët e skuadrave rivale, por edhe në burim shqetësimi për ata që pritet të ndjekin ndeshje në këtë stadium.

Ky incident vjen vetëm disa ditë pasi tifozët e Barcelonës u lagën plotësisht nga një rrebesh i fuqishëm shiu gjatë fitores 3-0 ndaj Real Oviedos të dielën. Mes të pranishmëve të goditur nga shiu dhe breshri ishte edhe presidenti i klubit, Joan Laporta, ndërkohë që çatia e stadiumit nuk pritet të vendoset më herët se sezoni i ardhshëm. Po ashtu, një numër gazetarësh publikuan imazhe të hapësirave të tyre të punës të përmbytura, ku shiheshin tavolina dhe pajisje të pambuluara nga uji.

Pamjet e miut kanë ngritur shqetësime shtesë lidhur me standardet e higjienës në një ambient ku shërbehet ushqim, si dhe për kushtet e punës brenda stadiumit. Nuk është hera e parë që dalin në pah probleme të tilla, pasi edhe më herët Konfederata Sindikale e Komisioneve të Punës (CCOO) ka protestuar jashtë Camp Nou, duke akuzuar kompanitë e ndërtimit për përdorim të paligjshëm të punëtorëve migrantë.

Nënkontraktori Extrem Works, i angazhuar nga kontraktori kryesor Limak, është gjobitur me 1 milion euro për parregullsi në dokumentacionin e punëtorëve. Përveç kësaj, gjatë fazave të para të rinovimit të Camp Nou janë ngritur shqetësime serioze edhe në lidhje me sigurinë e disa punëtorëve.

 

error: