Barcelona vazhdon ta mbajë në vëzhgim sulmuesin nigerian Victor Osimhen, megjithatë transferimi i tij në “Camp Nou” mbetet i komplikuar për shkak të çmimit të lartë që kërkon Galatasaray.
Sipas gazetarit Yagiz Sabuncuoglu, klubi turk nuk është i gatshëm të negociojë për oferta nën 140 milionë euro për kartonin e sulmuesit.
Kjo shumë reflekton sezonin fantastik që Osimhen pati gjatë edicionit 2025/26, ku u vlerësua si futbollisti më i mirë i Superligës së Turqisë dhe ishte një nga figurat kyçe në mbrojtjen e titullit nga Galatasaray.
27-vjeçari zhvilloi një sezon të shkëlqyer, duke kontribuar me 22 gola dhe tetë asistime në 32 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Në kampionatin turk ai regjistroi 15 gola dhe pesë asistime në 22 paraqitje, ndërsa në Ligën e Kampionëve spikati me shtatë gola dhe tri asistime në 10 ndeshje.
Një nga paraqitjet më të paharrueshme të sezonit ishte ndaj Ajaxit në Ligën e Kampionëve, ku realizoi tre gola dhe dëshmoi edhe një herë cilësitë e tij si një prej sulmuesve më të rrezikshëm në Evropë.