PDK befason me qëndrim për koalicion me LVV-në

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar se PDK-ja nuk ka vendosur vija të kuqe për bashkëqeverisje me asnjë subjekt politik, por ka theksuar se çdo bisedim për koalicion duhet të jetë serioz dhe të marrë parasysh kërkesat e partisë.

“Nuk kemi pasur në asnjë palë zgjedhje vija të kuqe dhe nuk kemi as tani, por vlerësimet dhe bisedimet lidhur me koalicionin duhet të jenë në përputhje me kërkesat që ka PDK-ja, nëse hyn në bisedime. Bisedimet për koalicion duhet të jenë serioze”, ka deklaruar Haliti në emisionin e Tëvë1.

Ai foli edhe për mundësinë e formimit të një qeverie nga partitë opozitare të legjislaturës së kaluar, duke thënë se deri më tani nuk ka pasur bisedime konkrete për një skenar të tillë. Sipas tij, Kosovës i nevojitet një qeveri stabile me mandat të plotë, e cila do të mundësonte edhe zgjedhjen e presidentit.

Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve, ku PDK-ja u rendit e dyta me 21.12 për qind të votave, Haliti tha se partia kishte pritur një rezultat më të lartë. Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për ndikim në procesin zgjedhor përmes ndarjes së mjeteve financiare gjatë fushatës.

“Kemi pritur më shumë, por veprimi korruptues që e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje duke shpërndarë 200 milionë euro në dy javët e fundit ka qenë faktor që ka ndikuar në votimin e pavarur. Korrupsioni politik dhe korrupsioni në zgjedhje kanë ndodhur dhe kjo është e pafalshme”, është shprehur Haliti.

Ish-deputeti i PDK-së komentoi edhe pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit. Sipas tij, zgjedhjet e shpeshta, por edhe moti i mirë, kanë ndikuar që një numër i konsiderueshëm qytetarësh të mos dalin në votime dhe të udhëtojnë jashtë vendit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, pjesëmarrja në zgjedhjet e 7 qershorit ishte 36.88 për qind, ndërsa në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar kishte arritur në 44.99 për qind.

error: