Një punonjës i shërbimit të kontrollit të parkimit në komunën e Thônex, me shtetësi zvicerane dhe origjinë shqiptare, ka pretenduar se ka qenë viktimë e racizmit dhe diskriminimit për shkak të prejardhjes dhe fesë së tij. Lajmi është raportuar nga media zvicerane Blick.
Sipas tij, ai është përballur me komente fyese dhe sjellje diskriminuese nga kolegët dhe eprorët, përfshirë edhe drejtues të shërbimit. Punonjësi, i cili ndodhet në pushim mjekësor që nga muaji dhjetor, ka paralajmëruar se do të dorëzojë kallëzim penal.
“I izoluar dhe i poshtëruar”
Në një nga incidentet që ai përshkruan, gjatë një darke me kolegët në nëntor të vitit 2024, ai kishte refuzuar të konsumonte mish derri për arsye fetare. Sipas tij, kjo kishte nxitur reagime tallëse dhe pyetje provokuese, përfshirë nëse ishte islamist apo kishte lidhje me organizata terroriste.
Ai thekson se këto sjellje nuk kanë qenë të izoluara, por janë përsëritur për muaj me radhë, duke krijuar një ambient armiqësor në vendin e punës.
Akuza për presion dhe deklarata fyese
Punonjësi pretendon gjithashtu se është vënë nën presion për të shqiptuar një numër minimal gjobash. Ai thotë se ka dokumentuar edhe deklarata të drejtpërdrejta fyese ndaj shqiptarëve.
Sipas raportimit të Blick, një kolege thuhet të ketë deklaruar: “E kapa një shqiptar, do t’ia jap maksimumin e gjobës”, ndërsa një epror i është drejtuar me fjalët se “shqiptarët nuk dinë të integrohen”.
Reagimi i komunës
Kryetari i komunës së Thônex, Bruno da Silva, ka deklaruar për Blick se rasti është shqyrtuar dhe se janë ndërmarrë masa pas një hetimi të brendshëm, pa dhënë detaje shtesë.
Ai ka theksuar se autoritetet nuk i neglizhojnë akuza të tilla dhe se kanë detyrimin të mbrojnë të gjithë punonjësit.
Punonjësi: “Kam përjetuar ngacmime për një vit”
Punonjësi i prekur mohon që rasti të ketë lidhje me ndryshimet strukturore në shërbim dhe thotë se ankesat e tij janë bërë shumë më herët.
Ai shton se ka përjetuar ngacmime për afro një vit dhe se gjendja e tij psikologjike është përkeqësuar, duke e detyruar të ndërpresë përkohësisht punën.