Delegacioni i kongresistëve amerikanë, që vizitoi të martën Luginën e Preshevës, ka dërguar mesazhe të qarta për nevojën e trajtimit të problemeve me të cilat përballen shqiptarët në jug të Serbisë, duke vënë theksin te të drejtat e pakicave, arsimi dhe barazia sociale.
Kongresisti republikan Keith Self dhe ai demokrat Suhas Subramanyam zhvilluan takime me përfaqësues institucionalë dhe politikë shqiptarë, përfshirë deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, për t’u njohur nga afër me situatën në terren.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç e kemi ditur. Do të vizitojmë edhe Kosovën për të parë nga afër situatën e pakicës serbe atje, në mënyrë që të kuptojmë se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, deklaroi Self para gazetarëve.
Ndërkohë, kongresisti demokrat Subramanyam theksoi se çështjet që lidhen me arsimin dhe zhvillimin ekonomik të shqiptarëve në Serbi mbeten shqetësuese.
“Realiteti është se Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”, u shpreh ai.
Vizita e delegacionit amerikan në Preshevë vjen vetëm pak muaj pasi Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA miratoi një projektligj që kërkon raport të posaçëm për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Projektligji, i iniciuar nga Keith Self, trajton një sërë problemesh me të cilat përballet komuniteti shqiptar, si pasivizimi i adresave, kufizimi i përdorimit të gjuhës shqipe në institucione, mosnjohja e diplomave nga Kosova dhe mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi vizitën e kongresistëve si një sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj pozitës së shqiptarëve në Luginë.