SHKK: Personi që telefonoi në emision nuk ishte Granit Plava, kemi kryer verifikime

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka reaguar pas raportimeve se Granit Plava, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, ishte personi që u lidh drejtpërdrejt në një emision të mëngjesit ditën e djeshme.

Përmes një reagimi zyrtar, SHKK ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se Plava nuk ka realizuar asnjë telefonatë live nga burgu.

Në videon që u publikua në media, një person prezantohet si Granit Plava dhe thotë që është i dënuar me burgim të përjetshëm.

SHKK ka thënë se ka kryer verifikime dhe se zëri në telefonatën e transmetuar nuk i përket Plavës dhe se as koha e transmetimit nuk përkon me orarin e lejuar për realizimin e telefonatave nga personat e burgosur.

“Ju njoftojmë se institucionet korrektuese zbatojnë standarde të larta sigurie dhe kontrolli, ndërsa çdo posedim apo përdorim i mjeteve të ndaluara nga personat e dënuar është i ndaluar rreptësisht dhe trajtohet me seriozitet të plotë”, thuhet në reagim.

Aty theksohet se hapësirat brenda institucioneve korrektuese monitorohen vazhdimisht nga stafi korrektues dhe përmes sistemit të kamerave të sigurisë.

“Telefonatat lejohen vetëm sipas procedurave dhe orareve të përcaktuara nga institucioni korrektues”, thuhet në reagim.

error: