Tragjedi në Malishevë: Babai dhe dy fëmijët humbin jetën nga zjarri në banesë, dy të tjerë shpëtojnë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Malishevë, ku një burrë dhe dy fëmijët e tij kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë banesën e tyre.

Sipas informacioneve të raportuara, viktima është një burrë rreth 35-vjeçar, ndërsa fëmijët që humbën jetën janë të moshës 9 dhe 12 vjeç. Zjarri ka shpërthyer rreth orës 12:55 në lagjen “Mirdita”, duke shkaktuar pasoja fatale për familjen.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.

“Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente. Në këtë banesë janë gjetur tre persona (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete”, ka deklaruar Elezaj.

Ai shtoi se zjarri është lokalizuar dhe nuk janë raportuar pasoja të tjera materiale apo në njerëz, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

“Zjarri është lokalizuar dhe nuk është raportuar për pasoja të tjera. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje”, deklaroi ai.

Ndërkohë, sipas burimeve, nga kjo tragjedi kanë arritur të shpëtojnë edhe dy fëmijë të tjerë të familjes, të cilët fatmirësisht kanë mbijetuar.

Ngjarja ka tronditur thellë opinionin publik dhe komunitetin në Malishevë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet që çuan në këtë tragjedi të rëndë.

error: