Zjarr i dyshimtë në Ferizaj, dëm rreth 300 mijë euro në një barnatore

Një zjarr i madh ka shpërthyer në orët e hershme të mëngjesit në Ferizaj, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ngjarja ka ndodhur më 27 mars rreth orës 03:20 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, ku flakët kanë përfshirë barnatoren “Genista”.

Patrulla policore, sapo ka arritur në vendin e ngjarjes, ka vërejtur tym të dendur që dilte nga objekti, ndërsa menjëherë janë njoftuar zjarrfikësit, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin.

Gjatë ekzaminimit fillestar, në pjesën e jashtme të lokalit janë gjetur një sëpatë dhe xhama të thyer, duke ngritur dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht.

Sipas pronarit të lokalit, dëmi material nga zjarri dhe tymi arrin deri në rreth 300 mijë euro.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet hetimore, hetimet rajonale dhe forenzika, të cilat kanë nisur mbledhjen e provave për zbardhjen e rastit.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Zjarrëvënie”, ndërsa hetimet janë në zhvillim.

error: