Dua Lipa dhe i fejuari i saj, aktori britanik Callum Turner, pritet t’i japin fund beqarisë javën e ardhshme me një ceremoni luksoze në Itali, raportojnë mediat britanike.
Këngëtarja me famë botërore konfirmoi fejesën me Turnerin vitin e kaluar, pasi ai i propozoi në mënyrë romantike gjatë festave të Krishtlindjeve. Tashmë, sipas raportimeve, çifti është në përgatitjet e fundit për dasmën e shumëpritur.
Sipas gazetës britanike The Sun, festimet do të zgjasin plot tre ditë, duke nisur të enjten, ndërsa në ceremoni pritet të marrin pjesë shumë emra të njohur të skenës muzikore dhe botës së showbiz-it.
Në listën e të ftuarve thuhet se janë edhe këngëtaret Charli XCX dhe Tove Lo, ndërsa qarkullojnë spekulime se legjenda e muzikës, Elton John, mund të performojë gjatë festimeve. Ai dhe Dua Lipa bashkëpunuan në hitin Cold Heart.
Një burim i afërt me organizimin ka deklaruar se fillimisht çifti kishte planifikuar një ceremoni intime, por me kalimin e kohës planet kanë ndryshuar dhe dasma është shndërruar në një ngjarje madhështore që do të zgjasë tri ditë.