Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka hapur hetim ndaj një 31-vjeçari, i dyshuar për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”.
Sipas njoftimit, mbrëmjen e djeshme i dyshuari po drejtonte një veturë “Audi A4” në bulevardin “Nikola Karev”, kur në kryqëzimin me rrugën “Prohor Pçinski” nuk ka respektuar sinjalizimin rrugor dhe ka kaluar mbi vijën e plotë të dyfishtë, duke hyrë në korsinë e kundërt për të kryer kthesë majtas.
Hetimet paraprake tregojnë se ai ka qenë gjithashtu nën ndikimin e substancave narkotike, në kundërshtim me ligjin për sigurinë në komunikacion.
Si pasojë e manovrës së gabuar, automjeti i tij është përplasur me një motoçikletë “BMW”, ndërsa më pas në pjesën e pasme është goditur edhe një motoçikletë “Honda”, të cilat po lëviznin nga kahja e kundërt.
Nga përplasja e fortë, drejtuesi i motoçikletës “BMW”, 19-vjeçari Muzafer Fetahi, ka pësuar lëndime të rënda dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Prokuroria, duke vlerësuar rrezikun e arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës, i ka propozuar Gjykatës Themelore Penale në Shkup caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.