Kosova ‘zbarkon’ drejt bregdetit shqiptar, kaq mijë hyrje u regjistruan për 24 orë

Fundjava ka sjellë rritje të ndjeshme të qarkullimit në pikën kufitare të Morinës, ku mijëra qytetarë nga Kosova po udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar për të kaluar ditët e pushimit.

Udhëtarët thonë se moti i favorshëm dhe çmimet e përballueshme janë ndër arsyet kryesore që kanë zgjedhur destinacionet turistike në Shqipëri.

“Koha është shumë e mirë dhe deti është alternativa më e mirë për të kaluar fundjavën me familjen. Edhe çmimet janë të arsyeshme”, shprehen disa prej qytetarëve.

Fluksi i shtuar po menaxhohet më lehtë falë procedurave të thjeshtuara kufitare, të cilat kanë hyrë në fuqi nga 1 maji. Kjo procedurë mundëson kalimin pa kontrolle për automjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e pritjes në kufi.

Sipas Policisë Kufitare, gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri kanë hyrë mbi 26 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Autoritetet presin që numri i vizitorëve të vazhdojë të rritet gjatë fundjavës, sidomos drejt qyteteve dhe zonave bregdetare turistike.

error: