Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) ka arritur një tjetër rekord financiar, duke tejkaluar për herë të parë shifrën prej 4 miliardë eurove mjete nën menaxhim.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar, ku thuhet se gjatë muajit maj 2026 mjetet neto nën menaxhim të FKPK-së kanë kaluar këtë prag historik.
Sipas Trustit, rreth 70 për qind e shumës prej 4 miliardë eurosh janë akumuluar nga kontributet pensionale të qytetarëve, ndërsa afërsisht 30 për qind përfaqësojnë vlerën e shtuar nga investimet ndër vite.
Në njoftim theksohet se rritja e mjeteve ka qenë e vazhdueshme dhe stabile që nga viti 2015. Në fund të atij viti, Trusti kishte rreth 1.2 miliardë euro mjete nën menaxhim, ndërsa sot kjo shumë është më shumë se trefishuar.
Ky zhvillim konsiderohet si një tregues i rritjes së fondit pensional dhe performancës së investimeve të realizuara nga Trusti gjatë viteve të fundit.