Mesazhe dhe grafite kërcënuese për Kosovën, në qendër të Serbisë

Në qendrën e Beogradit është shfaqur sërish një grafit me përmbajtje nacionaliste, kësaj radhe me mesazhin “Kosova është zemra e Serbisë”, i shkruar në fasadën e një ndërtese në zonën kryesore të këmbësorëve ku kalojnë mijëra turistë çdo ditë.

Slogani, që mohon pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008, ka zëvendësuar një grafit tjetër që mohonte gjenocidin në Srebrenicë. Ky i fundit ishte vendosur që nga qershori i vitit 2024 dhe mbante firmën e grupit ultradjathtist “Patrulla Popullore”.

Aktivistët e organizatës joqeveritare “KROKODIL” kanë ndërmarrë disa aksione për fshirjen e grafiteve nacionaliste, por mesazhet janë rikthyer vazhdimisht në të njëjtin lokacion.

“Ata i bëjnë këto grafite për të përhapur propagandë, frikë, urrejtje dhe nacionalizëm”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë aktivisti Filip Jovanoviq, i cili ka marrë pjesë në rreth 20 aksione për mbulimin e tyre.

Pas aksionit të fundit të aktivistëve, në fasadë u shfaq grafiti i ri me mesazhin për Kosovën, pa asnjë nënshkrim të autorëve.

Qytetarët në Beograd kanë reagime të ndryshme për këto mesazhe. Disa i konsiderojnë si pjesë të historisë serbe, ndërsa të tjerë vlerësojnë se grafite të tilla nuk kanë vend në qendër të qytetit dhe se muret duhet të mbeten të pastra.

Slogani “Kosova është zemra e Serbisë” u përhap në fund të viteve ’80, gjatë rritjes së nacionalizmit serb, dhe u përdor gjerësisht edhe gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, slogani u rikthye sërish në përdorim nga grupe nacionaliste, tifozë dhe organizata të ndryshme.

Aktivistët e “KROKODIL”-it kanë raportuar edhe për pengesa gjatë aksioneve të tyre. Sipas tyre, në disa raste janë vendosur tela me gjemba dhe sipërfaqe të lyera me vaj për t’i penguar ata të mbulojnë grafitet.

Një tjetër grafit me përmbajtje nacionaliste, “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, është mbuluar së fundmi nga aktivistët në një rrugë pranë qendrës së Beogradit. Ky slogan është shfaqur në shumë qytete të Serbisë pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova në vitin 1999, pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe ndërhyrjes së NATO-s.

Aktivistët pretendojnë se autorët e grafiteve nacionaliste nuk ndëshkohen nga institucionet, ndërsa përfaqësues të pushtetit serb kanë kritikuar shpesh ata që i largojnë këto mesazhe nga hapësirat publike.

Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë dorëzuar qindra kallëzime për heqjen e grafiteve dhe muraleve që glorifikojnë kriminelë lufte dhe nxisin urrejtje etnike në Serbi.

error: